Tifo grupi i Shkëndijës së Tetovës, “Ballistët” pas shumë performansash e historie pas vetes, prej të mërkurën janë më të pasur me një dokumentar të kushtuar 25 vjetorit të themelimit të tyre. “25 vite besnikëri” titullohet materiali gjysmëorësh i përgatitur nga gazetari i sportit, Artan Ziberi, i cili pëveç pikave më të rëndësishme në ekzistencën e “Ballistëve” në përmbajtje kishte futur edhe opinione nga pronari i kompanisë “Ecolog” që sponsorizon Shkëndijën, Lazim Destani, presidenti aktual i kuqezinjëve, Visar Bexheti, si dhe kryetarë e ish-kryetarë të grupit “Ballistët”, Krenar Osmani, Valdrin Asani e Isak Luma.
Promovimi i dokumentarit “25 vite krenari” u bë të mërkurën në Pallatin e Kulturës në Tetovë në praninë e figurave të njohura nga jeta sportive e shoqërore, ekipi dhe stafi i Shkëndijës, mysafirë të ndryshëm, ndërsa të pashmangshëm për të zbukuruar ambientin në festën e tyre ishin “Ballistët” që krijuan atmosferë të bukur. Përveç promovimit të dokumentarit, mbrëmja u zbukurua me program kulturo-artistik dhe me performim të grupeve profesioniste të valltarëve.