Drejtuesit e Milanit nuk kanë mbetur aspak të kënaqur nga performanca e ofruar e dy sulmuesve të blerë gjatë verës së kaluar, Nikolla Kaliniç dhe Andre Silva, ashtu që janë duke menduar që në “San Siro” të sjellin një sulmues të ri bombardues, i cili do të shënonte së paku 20 gola në sezon.
Sipas asaj që shkruan “Tuttosport”, drejtuesit “kuq e zi” janë duke menduar një shkëmbim me Monakon, duke dërguar te kjo skuadër sulmuesin e ri portugez, Andre Silva, për të marrë në Milano sulmuesin me përvojë, Radamel Falkao.
Se Milani ka marrë seriozisht këtë punë dëshmon edhe takimi i Mirabellit me drejtorin sportiv të Monakos dhe agjentin Zhorge Mendesh, i cili ëshët angazhuar për të punuar në këtë pistë.
Falkao sapo ka mbushur 32 vite, ndërsa pas shumë problemeve fizike të së kaluarës, ai këtë sezon arriti të shënojë 24 gola në të gjitha garat me Monakon.
Një kalibër futbollisti që padyshim do i kryente punë Milanit. Mbetet të shihet se cila do të ishte formula e shkëmbimit eventual dhe mbi të gjitha, nëse Milani mund t’i korrespondojë Falkaos me angazhimin që ai aktualisht percepton në Monte Karlo.
Megjithatë përveç Falkaos, në sfond si alternativa për sulmin e Milanit përmenden edhe emrat e futbollistëve si Beloti, Manxhukiç dhe Muriel. Si duket merkatoja e “kuqezinjëve” për një sulmues të ri ka filluar që tani.