Sezoni i ardhshëm pritet të ketë një numër më të madh futbollistësh në Serinë A. Nëse këtë edicion në elitën e futbollit italian u aktivizuan 6 lojtarë, në vitin e ardhshëm pritet të ketë më shumë emra kuqezi që do të luajnë në një nga kampionatet më të fortë të botës.
Edhe Sampdoria ka piketuar një futbollist shqiptar dhe do të bëjë lëvizjen e saj gjatë verës për të siguruar firmën me të.
Bëhet fjalë për Emiljano Ndojin, mesfushorin e talentuar të përfaqësueses Shpresa i cili është ftuar edhe një herë me kombëtaren kuqezi të drejtuar nga Panuçi. Lojtari i cili është rritur te akademia e Romës, ka luajtur rregullisht në dy sezonet e fundit te Breshia në Serinë B dhe ndonëse nuk ka arritur të provojë elitën e futbollit italian, ka shumë skuadra të cilat kanë shfaqur interesim për të.
Për këtë arsye, drejtori sportiv i Sampdorias, Karlo Osti, ka qenë i pranishëm në ndeshjen mes Çitadelës dhe Breshias për të parë nga afër futbollistin shqiptar të cilin ekspertët në Itali e shohin si lojtar me shumë perspektivë.
Breshia ka blerë për 1,2 milionë euro kartonin e Ndojit nga Roma, por kjo e fundit ka të drejtën e riblerjes së lojtarit, ndaj Sampdoria duhet të gjejë një akord si me klubin e Serisë B, ashtu edhe me skuadrën e kryeqytetit italian. (vipsport.al)