Shkëndija pa shumë probleme mundi edhe Sileksin, duke konfirmuar epitetin e kampionit. Edhe pse ndeshja në Kratovë cilësohej si derbi i javës së 33-të, një gjë e tillë nuk doli të jetë edhe në fushën e blertë, kku Shkëndija e Qatip Osmanit, thjeshtë dominoi ndeshjen dhe në fund me plotë meritë regjistroi fitore, 1:3, njofton “infOSport.mk”.
Me këtë fitore “kuqezinjtë” koleksionuan fitoren e 26-të sezonale, duke arritur në kuotën e 82 pikëve, dhe njëherit duke krijuar një distancë prej 29 pikëve ndaj skuadrës së dytë në renditje, Vardarit.
E gjithë kjo, si dhe fitorja ndaj Sileksit, ka kënaqur edhe vetë trajnerin e Shkëndijës, i cili në pronocimin e zakonshëm pas përfundimit të ndeshjes, për kanalin zyrtarë të klubit, deklaroi: “Sigurisht se jam i kënaqur edhe pse sot rezultati mund të ishte ende më i thellë pasi kur ishte rezultati 0:1 humbëm dy raste të qindpërqindta. Por megjithatë Shkëndija sërish tregoi një lojë të mirë, të bukur, e cila na jep rezultate dhe ne duhet të vazhdojmë me këtë rritëm deri në fund”.