Skuadra e Juventusit është praktikisht kampion i Italisë për të shtatin vit radhazi. “Zonja e Vjetër” mund të festojë këtë sukses që këtë të dielë, në ndeshjen me Romën, ndaj së cilës i mjafton edhe barazimi për të mbyllur të gjitha llogaritë e këtij sezoni, që ishte më i vështiri për t’u fituar në krahasim me vitet e kaluara, kjo për meritë edhe të Napolit që rivalizojë me torinezët deri në javën e 34-t të “Serie A”. Juventusi do të festojë titullin kampion fundjavën që vjen, edhe nëse humbet ndaj Romës, në rast disfate të Napolit përballë Sampdorias.
Në të njëjtën kohë, Juventusi do të jetë kampion i Italisë edhe me humbje në dy ndeshjet e fundit, e dy fitore të Napolit. Në rast se torinezët e napoletanët e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, vendimtar do të jetë golavarazhi dhe “Zonja e vjetër” e ka më të mirë diferencën e golave në krahasim me Napolin.
Ndërkohë, te Juventusi kanë nisur festimet për titullin e shtatë radhazi në “Serie A” që do të bëhet bashkë me tifozët.
Gjithçka do të zhvillohet më 20 maj, pas ndeshjes me Veronën në “Allianc Stadium”. Po atë ditë do të bëhet edhe dorëzimi i trofeut të kampionit, ndërkohë që në rrugët e Torinos, pas 4 vitesh, Juventusi do të bëjë sërish paradën e futbollistëve e stafit teknik me një autobus të hapur.
Gjithsesi, në mesjavë, “Zonja e vjetër” ka mundësinë për të fituar një tjetër trofe në Itali, Kupën e Italisë, finalen e së cilës do ta luajë ndaj Milanit në “Olimpiko” të Romës. (Top Channel)