Sonte në “Kamp Nou” u zhvillua “El Clasico” e 238-të midis Barcelonës dhe Realit të Madridit, ku sërish protagonist dolën të jenë dy yjet e mëdhenj të futbollit botëror, Lionel Messi dhe Kristiano Ronaldo, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy shënuan edhe sonte për skuadrat e tyre përkatëse, me Ronaldon i cili shënoi i pari në minutën e 15-të, kur barazoi shifrat në 1:1, dhe Lionel Messin, i cili në minutën e 52-të arriti që të shënojë golin e dytë për Barcelonën, duke kaluar në ato momente edhe për herë të dytë skuadrën “katalunase” në avantazh përballë “madrilenëve”.
Për Lionel Messin, ishte ky goli i 551 me fanellën e Barcelonës, në gjithsej 635 ndeshje, teksa në anën tjetër për Kristiano Ronaldon, ishte goli i 449 në 436 ndeshje me Realin e Madridit.
Që të dy bashkë përbëjnë plotë 1000 gola, vërtetë shifër kjo impresionuese, të cilën na e dhurojnë kjo dyshe fantastike, njëherit edhe fituese e 10 “Topave të Artë”, nga 5 për secilin.