Diego Simeone do ta ndjekë nga tribuna edhe finalen e Europa League mes Atleticos së Madridit dhe Olympique Marseille që do të zhvillohet në datën 16 maj në Lyon të Francës. Komisioni i Disiplinës në UEFA ka vepruar me dorë të hekurt ndaj trajnerit argjentinas për kartonin e kuq që ky i fundit mori në sfidën e parë gjysmëfinale të Europa League ndaj Arsenalit në Emirates Stadium.
Simeone është skualifikuar me 4 ndeshje pasi ka përdorur tone fyese ndaj gjyqtarit francez Turpin pasi kyi fundit nxorri me karton të kuq pas vetëm 10 minutash mbrojtësin e krahut të djathtë Vrsalkjo. Simeone deri tani ka shlyer vetëm 1 ndeshje skualifikim dhe është e sigurtë që edhe në finalen ndaj Marseilles, Atletico do të drejtohet në stol nga zëvendësi i tij, German Burgos.