Se Shkëndija dita ditës po shndërrohet në një skuadër me renome dhe të fuqishme, po dëshmojnë edhe rezultatet e kësaj skuadre që po i arrinë me grupmoshat e reja, njofton “infOSport.mk”. Përveç përkushtimit maksimal të ekipit të parë, drejtuesit e skuadrës tetovare vëmendje të posaçme po ju kushtojnë edhe grupmoshave të reja, ku trajnerët e të gjitha moshave me në krye koordinatorin Festim Ademi po bëjnë një punë të shkëlqyeshme.
Më së miri për këtë flasin edhe të arriturat e tyre, ku nga gjithsej 4 grupmosha, tre prej tyre kanë siguruar një vend për në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija U19 e udhëhequr nga trajneri Bekim Osmani me meritë kaloi në finalen e madhe, pasi në gjysmëfinale me fitore identike 2:1 në të dyja ndeshjet eliminoi Borecin. Gjatë ditës së djeshme “kuqezinjtë” e rinj në Tetovë falë golave të shënuar nga Xhenis Ibraimi (44’) dhe Gazmend Loki (84’) shënuan fitore 2:1 ndaj Borecit, për të cilën skuadër golin e vetëm e realizoi Rristovski në çastet e fundit të takimit.
Në finalen e madhe Shkëndija U19 do të përballet me Rabotniçkin, që në ndeshjen tjetër gjysmëfinale eliminoi Pobedën nga Prilepi. Rikujtojmë Shkëndija U19 është edhe pranë mbrojtjes së titullit kampion në Super Ligën e të rinjëve, ashtu që kjo gjeneratë ka mundësinë që të përsëris suksesin e ekipit të parë, për tu kurorëzuar me titullin e dyfishtë.
Finale edhe për Shkëndijën U18 që në ndeshjen gjysmëfinale eliminoi FC Shkupin. Ekipi i udhëhequr nga Berat Imeri në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Tetovë shënuan fitore me rezultatin 5:3, ashtu që me rezultatin e përgjithshëm 7:4, falë fitores 1:2 në Shkup, kaluan në finalen e madhe.
Në një ndeshje mjaft interesant, djemtë e trajnerit Berat Imeri diferencën e bënë në pjesën e dytë. Ediz Spahiu me dy realizime (3’ dhe 32’) solli epërsi 2:0, ndërsa përgjigjen miqtë me Ramadanin (36’) dhe Berishën (54’) për barazim 2:2. Spahiu në minutën e 64-t kompleton hat-trikun e tij në këtë ndeshje duke sjellë epërsi 3:2, por miqtë gjejnë forcë për të barazuar edhe një herë në minutën e 64-t me anë të Likës. Ky rezultat ishte aktiv vetëm 3 minuta, pasi në të 67-ën Almir Rexhepi shënon për 4:3, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:3 e fiksoi i njejti futbollist në minutën e 80-të. Shkëndija U18 në finale të Kupës do të përballet me Pelisterin.
Hapin e dy gjeneratave paraprake nuk arritën të mbajnë edhe gjenerata U17 e Shkëndijës, që në gjysmëfinale u eliminua nga Akademia Pandevi. Pas humbjes 1:2 në Tetovë, djemtë e Burhan Emrullait barazuan 1:1 në Strumicë.
Abdulvahit Ajdini në minutën e 23-të shënoi për epërsi të Shkëndijës, mirëpo vendasit barazuan në minutën e 55-të me anë të Stojkovit. Kuqezinjtë dhanë gjithçka për të prekur kualifikimin, mirëpo u penguan edhe nga referimi skandaloz që anuloi një gol dhe nuk dha një penalti për Shkëndijën.
Mirëpo për dallim nga gjenerata U17, ajo U16 e Shkëndijës me stil u kualifikua për në finalen e madhe, pasi edhe në ndeshjen e kthimit në Tetovë mundi Pelisterin. Pas fitores 0:2 në Manastir, “kuqezinjtë” dje në Tetovë shënuan fitore minimale 1:0, ku golin e vetëm e realizoi Amar Emurli në minutën e 76-të.
Në finalen e madhe Shkëndija U16 do të përballet me Rabotniçkin.