Andres Iniesta mund të humbasë ‘Klasiken’ e fundit të karrierës së tij, pasi nuk ka qenë pjesë e skuadrës së parë në stërvitjen e së enjtes, për shkak të një problemi që ka shfaqur në pulpën e këmbës së majtë.
4 herë fituesi i Ligës së Kampionëve me Barcelonën, që javën e shkuar deklaroi largimin nga klubi “katalunas”, pas 22 vjetësh karrierë, mungoi në stërvitje për të evituar probleme të tjera me puplën, me shpresën që do të riaftësohet për përballjen e tij të fundit me rivalët e përjetshëm të Real Madrid.
Burime të ndryshme në Spanjë, përfshirë këtu edhe “Marca” dhe “Mundo Deportivo” raportojnë se Andres Iniesta ka shfaqur këto probleme që në ndeshjen finale të Kupës së Mbretit kundër Seviljës, duke u larguar nga fusha 5 minuta përpara mbylljes së takimit.
Edhe pse “Marca” dhe “Mundo Deportivo” kanë besim se Iniesta do të jetë i gatshëm për të luajtur ‘’Klasiken” e 38 të karrierës së tij, e përditshmja tjetër madrilene, “AS” shkruan se nuk ka asnjë garanci që Iniesta të jetë në fushë ditën e dielë, edhe pse të enjten ai ka bërë stërvitje rikuperuese.
Por pavarësisht se mund të humbasë “Klasiken” e së dielës, Iniesta është duke menduar me shumë kujdes edhe përgatitjet për finalet e Kupës së Botës, që do të jenë të fundit për të si futbollist i Barcelonës.