Fenerbahçe është skuadra që do të luajë në finale të Kupës së Turqisë ndaj Akhisarit, pasi fitoi ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në tavolinë me rezultat 3:0 përballë Beshiktashit. Skuadra e Beshiktashit, sikurse kishte njoftuar, nuk u paraqit mbrëmë për të luajtur minutat e mbetura të gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Turqisë në derbi kundër Fenerbahçes, sfidë e cila u ndërpre përgjysmë muajin e kaluar për shkak të sjelljes së dhunshme ëë tifozëve vendës.
Në këtë situatë, Komisioni i Disciplnës pranë Federatës së Futbollit të Turqisë i dha fitoren në tavolinë Fenerit, ndërsa Beshiktashin e përjashtoi nga Kupa edhe për sezonin e ardhshëm. Kujtojmë se takimi i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave u mbyll me barazim 2:2, ndërsa ajo e kthimit në fushën e Fenerbahçes u ndërpre në minutën e 57-të kur rezultati ishte 0:0 për shkak të goditjes në kokë të trajnerit të Beshiktashit, Shenoll Gunesh.
Federata vendosi që të luheshin minutat e mbetura në stadiumin e zbrazur pa publik, ndërsa drejtuesit e Beshiktashit nuk pranuan të zbrisnin sërish në fushë, të indinjuar nga vendimi.