Sonte në mbrëmje në program janë ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Liga Europa, kur do të mësojmë edhe dy skuadrat që do të diskutojnë trofeun e këtij kompeticioni në finalen e 16 majit në Lion.
Në Madrid, Atletiko Madridi do të presë në “Vanda Metropolitano” Arsenalin. Skuadra e Simeones vjen në këtë sfidë pas barazimit 1:1 të arritur javën e kaluar në Londër, një rezultat ky që i jep një lloj avantazhi.
Atletiko i ka fituar 4 ndeshjet e fundit të Liga Europa në shtëpinë e saj, ndërsa Arsenali nuk e ka të mirë bilancin e ndeshjeve të luajtura në Spanjë, 2 barazime dhe 4 humbje.
Ndeshja e sontme ndaj Atletiko Madridit do të jetë e 250-ta për trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger në kompeticionet evropiane, kështu që “topçinjtë” dhe francezi do të kërkojnë që të festojnë me një kualifikim të mundshëm në finalen e madhe të Liga Europa.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo që do të luhet në “Stadion Salzburg” mes Salzburgut të Valon Berishës, dhe Olympikut të Marsejës.
Skuadra franceze ka fituar ndeshjen e parë 2:0, por që gjithsesi nuk garanton plotësisht kualifikimin për në finale. Për më tepër, Salzburgu është parë në një situatë të tillë në çerekfinale me Lacion ndaj së cilës humbi ndeshjen e parë 4:2 për të përmbysur gjithçka në sfidën e kthimit që e fitoi 4:1.
Në të njëjtën kohë, Salzburgu nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e luajtura deri tani në Liga Europa, ndërsa Marseja ka një bilanc me 1 fitore, 3 barazime e 4 humbje në ndeshjet jashtë fushe.
Salzburgu dhe Marseja këtë sezon janë përballur me njëra tjetrën edhe në fazën e grupeve. Sfida e zhvilluar në Austri është mbyllur me fitoren e Salzburgut 1:0 ndërsa ajo në stadiumin “Velodrom” në Francë ishte mbyllur me barazimin 0:0.