Edi Hearn, promotori dhe menaxheri i boksierit britanik Entoni Xhoshua, ka deklaruar sot se ka 70% shanse që të realizohet sfida mes britanikut dhe rivalit amerikan, Deontaj Uilder.
Të dy boksierët janë kampionë bote në peshat e rënda dhe palët kanë shprehur prej kohësh dëshirën për një duel, që do të unifikonte titujt kampionë në një të vetëm. Por problem është vetëm financa, pasi termat ekonomikë po mban pezull sfidën.
“Kemi bërë disa biseda, që kanë patur rezultate pozitive gjatë ditëve të fundit. Unë mendoj se me 70% dueli do të zhvillohet. Stafi i Uilder preferon më shumë daljet publike dhe t’i shprehë ato edhe për fansat se çfarë do të ndodhë, të cilat ju i dini. Tashmë do të bisedojmë më shtruar për të gjetur një gjuhë të përbashkët”, – tha Edi Hern për mediat britanike.
“Bisedimet vazhdojnë dhe ne shpresojmë që të gjejmë një marëveshje, e cila do t’i kënaqë të gjitha palët”, u shpreh më tej menaxheri i boksierit britanik.
Entoni Xhoshua, i cili gjatë karrierës së tij ka regjistruar 21 fitore dhe asnjë humbje, mban titujt kampionë bote në kategoritë IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Uilder, 40 fitore e asnjë humbje, mban titullin e kategorisë WBC.