Xhejms shkëlqen në fitoren e Klivlendit ndaj Torontos, fiton edhe Goldent Stejt (VIDEO)

Klivlend Kavaliers dhe Toronto Reptors kanë zhvilluar një super ndeshje, e cila u përcaktua vetëm pas kohës shtesë, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 105:105. Ishte kjo ndeshja e parë e serisë së gjysmëfinaleve në Konferencën e Lindjes, në të cilën në fund falë paraqitjes së shkëlqyeshme të Le Bron  Xhejms, “kavaliersat” iu gëzuan fitores me rezultatin 113:112.

“Mbreti” Xhejms e mbylli takimin me “triple double”: 26 pikë, 13 asiste dhe 11 rikuperime, në plot 46 minuta mbi parket. Një fitore e pabesueshme e Klivlendit, që qëndruan gjatë gjithë kohës në disavantazh, madje periudhën e parë e mbyllën me 14 pikë disavantazh, 33:19, diferenca më e thellë e regjistruar gjatë kësaj sfide. Gjithsesi, në sekondat e fundit të kohës së rregullt arritën të barazonin  105 – 105, duke e çuar ndeshjen ne shtesë. Pikërisht në momentin më vendimtar të takimit, Le Bron me shokë treguan maturi, edhe pse duhet pranuar 3.5 sekonda nga fundi ishin me fat kur tentativa për 3 pikë e Fred VanVleet të “reptorsave” nuk përfundoi në kosh.

Një sukses që mund të rezultojë vendimtar për Klivlendin në fund të serisë. Ndryshe përveç Xhejms me lojë të mirë tek “kavaliersat” u dalluan edhe Smith e Korver me 20 dhe 19 pikë, ndërsa lojtari më i mirë i skuadrës kanadeze, DeRozan e mbylli përballjen me 22 pikë. Takimi i dytë i Serisë do të luhet sërish në “Air Canada Centre”.

Golden Stejt Uarriors janë të pandalshëm në Konferencën e Perëndimit. Kampionët në fuqi mundën Nju Orlinsin me rezultatin 121-116 edhe në përballjen e dytë të serisë së gjysmëfinaleve, duke thelluar avantazhin në 2-0.

Në “Oracle Arena” u zhvillua një ndeshje e ekuilibruar deri në përfundim  të periudhës së tretë, që u mbyll me shifrat 88:86, por në fraksionin e katërt “uarriorsat”  krijuan një distancë sigurie prej 12 pikësh, duke lëshuar disi në fund, por pa e rrezikuar suksesin.

Kevin Durant dhe Stefen Keri, i rikthyer në formën e duhur pas dëmtimit në gju, spikatën mbi parket, duke regjistruar 29, respektivisht 28 pikë, ndërsa te Nju Orlins, Entoni Dejvis rezultoi të jetë basketbollisti më i spikatur, duke realizuar 25 pikë. Sfida e radhës midis Golden Stejt dhe Nju  Orlins, zhvendoset në “Smoothie King Center”.

 

Leave a Reply