Sot në kuadër të javës së 32-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, Shkëndija në teren vendas do të mirëpret Rabotniçkin, njofton “infOSport.mk”. Bazuar në emrin e skuadrave dhe futbollistëve që posedojnë të dyja taboret, kjo ndeshje me plotë të drejtë fiton epitetin e derbit të kësaj jave, ku pritet të luhet një futboll i hapur dhe i bukur për syrin e shikuesit.
Me titullin e siguruar në xhep “kuqezinjtë” nga Tetova mendjen e kanë te finalja e Kupës ku do të kërkohet bashkimi i dy trofeve në futbollin vendor, mirëpo deri atëherë para vetes kanë edhe pesë sfida kampionale, përfshirë edhe këtë të sotmen ndaj “romantikëve”, ku fitorja mbetet objektiv.
Trajneri Osmani ka potencuar pakënaqësinë e tij pas humbjes së fundit me Pobedën dhe pritet që futbollistët të sjellin reagim kundër Rabotniçkit.
Shkëndija ka fituar të tre duelet paraprake të këtij sezoni kundër Rabotniçkit (2:6 dhe 0:2 në Shkup dhe 2:1 në Tetovë), ndërsa u ndeshën edhe në 1/8 e finales së Kupës (dy barazime 1:1) me Shkëndijën që vazhdoi garat pasi triumfoi ndeshjen e kthimit me penalti. Kuqezinjtë kanë në dispozicion gjithë futbollistët dhe para ndeshjes do të vendoset formacioni startues, të cilin do e përzgjedh trajneri Qqatip Osmani.
Shkëndija-Rabotniçki starton në ora 16:00, ndërsa arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë shkupjani, Igor Stojçevski.