Roma shënoi fitore 4:2 në përballjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve Europian, megjithatë ishte kjo vetëm një fitore që në fund vleu për statistika, pasi do të jetë Liverpulli që do të luaj në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve Europian, kjo falë fitores në ndeshjen e parë në “Enfilld Rroud” (5:2)njofton “infOSport.mk”.
Rrugën e skuadrës angleze drejt Kievit e paralajmëroi Sado Mane me golin e shënuar që në minutën e 9-të, ndërsa shpresat e skuadrës “romake” i riktheu një autogol i Xhejms Milner në minutën e 16-të. Mirëpo si duket ishin këto shpresa të kota, pasi Vijnaldum në minutën e 25-të shënoi edhe golin e dytë për Liverpullin, që ishte edhe vendimtarë i këtij takimi.
Pikërisht ky gol zhvlerësoi më pas golat e shënuar gjatë pjesës së dytë të skuadrës vendase, e cila fillimisht përmes Edin Xhekos në minutën e 52-të barazoi shifrat në 2:2, teksa Naingolan me dy golat e tij të shënuar në minutat 86 dhe 93 vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, i cili megjithatë për skuadrën italiane nuk ishte i mjaftueshëm për të kaluar në finalen e madhe të 26 majit në Kiev, aty ku për trofeun më të rëndësishëm europian do të diskutojnë Liverpulli dhe kampioni në fuqi, Reali i Madridit.