Trajneri i FC Shkupit, Zekirja Ramadani para pak çastesh ka zbuluar formacionin, me të cilin do të zbres në fushën e Çairit në përballjen e javës së 32-të kundër Sileksit, njofton “infOSport.mk”.
Është kjo një ndër ndeshjet më interesante të kësaj jave, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë tre pikëshin, me të cilin do të vazhdonin ëndërrën e tyre për një vend në garat europiane. Trajneri i skuadrës vendase i cili nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e qendërsulmuesit, Bazhe Ilijoski, sërish në vend të tij ka përzgjedhur Alen Jasharoskin, aktualisht golashënuesin më të mirë të skuadrës nga Çairi, i cili ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, teksa vendin e të suspenduarit, Kristijan Stojkoski, menjëherë pas qendër sulmuesit të vetëm, Jasharoski, do ta zë Emre Xhan. Pjesa tjetër e futbollistëve janë thuajse të ngjashëm, po ata që zbritën edhe në ndeshjen e fundit kundër Rabotniçkit, me të vetmin ndryshim, që tashmë në anën e majtë në vend të Ljamçevskit, do të manovrojë Bunjamin Shabani.
Ndeshja FC Shkupi – Sileksi zhvillohet në stadiumin e Çairit dhe e njëjta starton në ora 16:00.