Nga stadiumi i Çairit u ndanë me barazim 1:1 skuadra e Shkupit dhe ajo e Sileksit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 32-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
Të dyja skuadrat luftojnë për pozitat që sjellin Europën, ndërsa me fitore dhe humbje të njëra apo tjetres mund të caktoheshin edhe fatet gjatë këtij rrugëtimi, kur deri në fund kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar, por me Shkupin që ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.
Ajo që bëri lojën në fushë ishte Shkupi, që avansuan edhe të parët me golin e Omar Imerit, ndërsa më vonë Sileksi barazoi me Filipovskin dhe u mbyll tërësisht në anën e saj dhe me ndërprerje të njëpasnjëshme të lojës vazhdoi deri në fund, duke shpëtuar me barazim.
“Normal që smund të jemi të kënaqur me barazimin kundër Sileksit. E filluam shumë mirë takimin, arritëm të hapim rezultatin shumë herët dhe pranuam golin në mënyrë që ua tërheqëm vërejtjen futbollistëve tanë përpara takimit që duhet të jemi të kujdesshëm nga krosimet e kundërshtarit. Pikërisht me një kros nga e djathta na barazuan rezultatin. Por kishte shumë nervozizëm tek futbollistët se e pamë një Sileks që kishte ardhur për t’u zhagitur gjatë gjithë takimit e jo për të luajtur futboll. Kjo që bëri ekipi kundërshtar është turp për Sileksin që ka fituar trofe në të kaluarën dhe turp për futbollin tonë”, ka thënë për “InfOSport.mk, trajneri i Shkupit, Zekirija Ramadani.
Numri një i stafit teknik të Shkupit nuk komentoi shumë referimin e arbitrit Stavrev, duke lënë që me çështjen të mirren organet kompetente.
“Asnjëherë nuk kam folur për arbitrim ose për ndonjë arbitër, por kjo që pash sot nga arbitri me emblemen e FIFA dhe UEFA nuk e kam parë as në ligat më të ulëta. Çështjen ia lëmë komisionit dhe kompetentëve të mirren me arbitrat, ndërsa ne të fokusohemi për ndeshjen e radhës”, përundoi Ramadani.
Shkupi ndeshjen e radhës e luan me Skopjen në transfertë./InfOSport.mk