Komisioni Disciplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka vendosur që të suspendojë fushën e skuadrës së Struga Trim Lum, për shkak ndodhive pas përfundimit të ndeshjes kundër Makedonija Gjorçe Petrovit (1:2), e vlefshme kjo për javën e 24-të në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra shkupjane në atë ndeshje e cila udhëhiqej nga arbitri Josip Barton deri tek fitorja erdhi me një gol të shënuar në minutën e 99-të nga pika e bardhë, ndërsa e gjithë kjo revoltoi disa nga tifozët vendas, të cilët kishin tentuar për të sulmuar personat zyrtarë të ndeshjet. Për shkak këtyre ndodhive, FFM vendosi që përkohësisht të suspendoj fushën e skuadrës strugane, ndërsa vendimin përfundimtarë lidhur me këtë çështje do ta sjellë vetë komisioneri i disciplinës në mbledhjen e ardhshme.
Struga Trim Lum që pretendonte për ato dy pozita të para në Ligën e Dytë – Perëndim, pas disfatës ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, kishte reaguar përmes faqes së saj zyrtare në facebook, duke akuzuar arbitrin kryesor Josip Barton dhe vetë FFM-në, mirëpo të gjitha ato reagime të struganëve si duket kanë hasur në veshë të shurdhër, që në fund po rezultojnë edhe me suspendim e fushës, ndërsa njëkohësisht edhe me humbjen e shpresave për ato dy pozita të para në renditje.
Struga Trim Lum pas 24 javëve numëron 42 pikë dhe aktualisht mban pozitën e katërt, teksa si duket në tre javët e fundit Makedonija Gj.P, Vëllazërimi dhe Gostivari do të luftojnë për dy vendet e para, ku dallimi në pikë është vetëm 3 pikë mes skuadrës së parë dhe të tretë.