Messi është gjithmonë lojtari më i rëndësishëm i Barcelonës, teksa në sezonin 2017-2018 ai ka patur më shumë influencë se kurrë në suksesin e klubit “katalunas” në kampionat.
5 herë fituesi i Topit të Artë shënoi 3 gola në ndeshjen e fundit ndaj Deportivo La Korunjës si mysafir, në të cilën ndeshje Barcelona shënoi fitore me rezultatin 4:2, duke siguruar në këtë mënyrë titullin kampion 4 javë para fundit.
Mbi të gjitha këtë edicion, Barcelona ka shansin për të përfunduar një fushatë pa humbje në La Liga, por asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa Messin.
Dukej e vështirë kur Nejmar u largua verën e kaluar, me të Barcelona kishte luajtur me modulin 4-3-3 por pas largimit të brazilianit, trajneri Ernesto Valverde ndryshoi modulin në 4-4-2.
Kjo i dha forcë mesfushës, duke shtrënguar dhe mbrojtjen, por e bëri jetën më të vështirë për sulmuesit, sidomos për Luis Suarez, i cili vuajti nga dëmtimet, por edhe nga roli i tij i ri me largimin e Nejmar.
Në një farë mënyre Messit i duhej të bënte më shumë i vetëm, këtë sezon ai ka qenë jo vetëm kryegolashënuesi i Barçës por dhe shefi i sektorit për të krijuar. Pas tregolëshit ndaj Deportivos, Messi shkon në kuotën e 32 finalizimeve në këtë sezon të La Ligas ku ka dhënë edhe 12 asiste, por këta numra nuk thonë gjithë historinë.
Para ndeshjes së të shtunës, Messi krishte krijuar plot 78 raste për shokët e tij të skuadrës në La Liga, ndërsa ka goditur edhe 86 herë portën, ku në 14 raste ka goditur shtyllat.
Messi ka fituar 73 faulle, shumë prej tyre në pozicione të rrezikshme, prej nga ka qenë i aftë të shënojë me goditje dënimi apo penallti.
Kur Barcelona ka pasur nevojë për gol, ai i ka siguruar, kur skuadra ka vuajtur për të krijuar, Messi ka dhuruar lojë, sa herë që prek topin është deçizive dhe të gjithë e kanë të qartë se Barcelona pa Messin nuk është e njëjta, dhe këtë sezon jo thjesht për golat e shënuar, por edhe për influencën absolute që ka pasur në skuadër.
Barcelona me 86 pikë nga 34 ndeshje të zhvilluara me plotë meritë ndodhet në pozitën e parë, duke lënë pas vetes Atletiko Madridin me 75 pikë dhe një ndeshje më shumë, teksa rivali i tyre i përbetuar, Reali i Madridit ndodhet në pozitën e tretë me 71 pikë. Pikërisht ndaj “madrilenëve”, Barcelona do të zhvillojë ndeshjen e rradhës në “Kamp Nou”, që pritet të jetë një festë e madhe, e cila kishte filluar që dje, kur futbollistët e Barcelonës marshuan rrugëve të qytetit duke prezantuar para tifozëve të tyre të shumtë dy titujt e këtij edicioni, atë të kampionit si dhe Kupës së Mbretit.