Federata e Futbollit të Italisë ka dalë me një vendim të prerë lidhur me gjithë ato polemika që kishin të bëjnë me derbi ndeshjen e së shtunës midis Interit dhe Juventusit, të zhvilluar në “Xhuzepe Meaca”. Sipas këtij institucioni më të lartë të futbollit italian, nuk ka asnjë akuzë për trajnerin e Juves, Massimiliano Allegrit, për t’iu përgjigjur polemikës së Paolo Tagliaventos.
Juventus arriti fitoren në minutat e fundit të derbit kundër Interit, ndërsa duhet pranuar se ishte një ndeshje ku pati polemika, sidomos pasi boshnjakut të Juves, Miralem Pjaniç nuk iu tregua kartoni i dytë i verdhë në pjesën e dytë pas një goditje të Rafinjas.
Gjithashtu u tha se derisa zyrtari i katërt i ndeshjes, Taliavento, po ecte në zonën e përzier, trajneri Allegri, ishte duke folur për performancën e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Daniele Orsato, duke i thënë: “Ndeshja me të si gjyqtar, shkoi me të vërtetë mirë. Ai ishte shumë i mirë. Duhet ta avanconi!”.
Agjencia e lajmeve “ANSA”, raportoi se prokurori Xhuzepe Pekoraro, kishte kërkuar të shikonte pamjet e ndeshjes për të parë nëse kishte ndonjë gjë që dëshmonte për këto polemika lidhur me trajnerin e Juves dhe gjithë momentet e ndeshjes, mirëpo sipas “Sky Sports”, thuhet se çështja nuk do të vazhdojë më tutje dhe është mbyllur, pasi prokurori nuk pa ndonjë gjë jashtë rregullave.
Një video tjetër që u postua në internet dhe që bëri bujë, tregonte një moment ku zyrtari i katërt, Paolo Taliavento, po thoshte: “Tani do të fitojmë në lojën shtesë”. Megjithatë, fjalët e tij ashtu u interpretuan, pasi mendohet se ai kishte thënë: “Sa kohë shtesë do të akordojmë”.
Duket se video në fjalë ishte edituar, pasi kjo ndodhi në pjesën e parë, kur Juventus ishte duke udhëhequr 1:0, e jo siç pretendohet në pjesën e dytë të ndeshjes. Sido që të jetë, jo pak herë ka pasur dhe do të ketë polemika, sidomos në derbi ndeshjet mes Interit dhe Juventusit.