Mesfushori belg, Raxha Naingolan është rrëfyer në një intervistë për “Times”, duke folur “pa dorashka”.
“Kisha vetëm nënën time dhe ishte e vështirë për të. Bënte 3 punë për të paguar shpenzimet. Ishte e vështirë të rriteshe në këto kushte. Jam rritur në rrugë. Kishim një shtëpi, por isha gjithmonë në rrugë dhe vija vonë. Nuk isha i përqendruar te studimet. Kam bërë disa gabime. Kam vjedhur për të ngrënë, gjëra të vogla, kur kisha uri. Nuk ishte një kohë e mirë për mua”, tha mesfushori i Romës.
Futbolli e ka shpëtuar dhe ndoshta për këtë, Naingolan i është mirënjohës karrierës së tij.
“Tani mendoj vetëm për Romën. Kanë shkruar për mua çdo ditë për 10 vite resht. Lërini të flasin, sepse unë jam mirë këtu dhe kam gjithçka që më duhet. Familja ime jeton shumë mirë. Me Çelzin kishte diçka. Nuk u konkretizua, por kishte interes për mua. Në fund, zgjedhja nuk ishte e vështirë për mua. Më pëlqen futbolli anglez, por e urrej shiun. Ishim në Liverpull për dy ditë dhe shiu nuk pushoi për asnjë moment. Dhe për më tepër bënte shumë ftohtë”, tha Naingolan.
Për sa i përket ndeshjes së kthimit kundër Liverpullit për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, mesfushori i Romës tha: “Jam një luftëtar. Edhe unë mendoj se është e vështirë të përmbysim rezultatin 5-2. Por nuk është e pamundur. E bëmë kundër Barcelonës”.
Ai foli gjithashtu edhe për Mohamed Sallah dhe marrdhëniet që ka pasur me ish shokun e tij të skuadrës, që të mërkurën do ta ketë sërish kundërshtarë.
“Kam një marrëdhënie të mirë me të. Ishte i drojtur kur erdhi te Roma, por është një djalë i mbarë. Jam i lumtur për të. Ishte i fortë kur luante me Romën dhe është përmirësuar edhe më shumë te Liverpulli”, përfundoi Naingolan.
Ndeshjen e kthimit gjysmëfinale Roma kundër Liverpullit e zhvillon të mërkurën (2 maj) në “Olimpiko” me fillim në ora 20:45. Rikujtojmë në ndeshjen e parë skuadrës “romake” kishte pësuar një disfatë të rëndë 2:5, ashtu që ju nevojitet edhe një super ndeshje dhe një ripërsëritje e rezultatit 3:0, sikur ajo kundër Barcelonës, për të siguruar një vend për në finalen e madhe të Kievit.