Trajneri i Bajernit të Munihut, Jup Hejnkes, është optimist që skuadra e tij mund t’ia dalë të përmbysë rezultatin nga ndeshja e parë, kur Reali i mundi në “Alianc Arena”, dhe të kualifikohet për në finalen e madhe, duke shënuar sonte atë fitoren e duhur në “Santiago Bernabeu”.
Trajneri i “bavarezëve” theksoi se Reali nuk është i pamposhtur dhe se skuadra që ai drejton ka cilësitë e duhura për të bërë mrekulli.
“Mendoj se kemi të gjitha mundësitë tona për t’u kualifikuar në finale”, ka thënë Hejnkes.
“Reali nuk është i pathyeshëm në shtëpi dhe ndeshja me Juventusin është një tregues i qartë për këtë”.
“Do të jetë një sfidë shumë e vështirë për ne, por po aq e komplikuar edhe për kundërshtarët tanë. Skuadra ime di t’i luajë ndeshje të tilla, ndaj e vetmja gjë që duhet të përmirësojmë, është efikasiteti, që na mungoi në takimin e parë”, përfundoi ai.