Java e 32-të në elitën e futbollit vendor në program është të mërkurën, ndërsa e gjithë vëmendja do të jetë e përqëndruar në stadiumin e qytetit në Tetovë, si dhe në Çair, njofton “infOSport.mk”.
Në Tetovë kampionët e ri të vendit, Shkëndija do të mirëpresin Rabotniçkin,
teksa në Çair, Shkupi do të jetë nikoqir i Sileksit. Nëse Shkëndija tashmë ka siguruar titullin e kampionit, tre skuadrat tjera janë në garë për vendet që sigurojnë Liga Europën.
Sileksi është në një pozitë më të favorshme për momentin, megjithatë një disfatë nga FC Shkupi mund ti komplikonte gjërat për skuadrën nga Kratova, ndërsa gjithashtu edhe për Rabotniçkin, që me një disfatë eventuale nga Shkëndija, mund të rrezikonte pozitën e katërt ndjeshëm.
Përveç FC Shkupit, fituesi më i madh, gjithnjë me disfatat eventuale të Rabotniçkit dhe Sileksit, do të ishte Renova, që këtë javë pritet të ketë një transfertë të lehtë përballë Pelisterit në Manastir. Bazuar në rezultatet që po arrinë skuadra nga Xhepçishti me në krye Agron Memedin, ata shihen favorit ndaj skuadrës së fundit në tabelë, e cila si duket u dorëzua në garën për mbijetesë në fundjavë, kur pësoi debakël nga Skopje në Autokomandë.
Këta të fundit do të kenë një përballje të vështirë kundër Vardarit në arenën “Filipi i Dytë”, teksa një përballje mjaft interesante ku do të diskutohet për mbijetesë, do të zhvillojnë edhe Akademia Pandev dhe Pobeda, transmeton “infOSport.mk”.
Kjo ndeshje në stadiumin”Kukush” në Turnovë të Strumicës për shkak transmetimit të drejtëpërdrejtë në TV “24 Vesti”, do të startojë në ora 15:00, një orë më herët nga termini i zakonshëm (16:00), kur do të zhvillohen katër ndeshjet tjera të kësaj jave.
LPFM, Java XXXII |
||
A. Pandev | 02.05. 15:00 | Pobeda |
Pelisteri | 02.05. 16:00 | Renova |
Shkëndija | 02.05. 16:00 | Rabotniçki |
FC Shkupi | 02.05. 16:00 | Sileksi |
Vardari | 02.05. 16:00 | Skopje |