Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani nuk ka fshehur pakënaqësinë nga humbja e djeshme 2:1 me Pobedën në Strumicë, ndërsa duke mos dashur të komentojë referimin, akcentin kryesor vendosi te paraqitja e dobët e futbollistëve të tij.
Fakti që ekipi tetovar ka siguruar titullin dhe formacioni i kombinuar nuk arsyetojnë shfaqjen e pasditës të së dielës dhe tekniku Osmani ka paralajmëruar masa për paraqitjen e dobët.
“Sigurisht se jam i pakënaqur me lojën e sotme. Nuk ishim në nivel në asnjërin repart, në mbrojtje ishim të ngadaltë dhe të vonshëm, ndërsa mungoi lëvizja pa top dhe në sulm nuk kishim ide. Repartet qëndronin larg njëra tjetrës dhe kjo u mundësonte vendasve të vijnë në raste shënimi. Kjo humbje nuk na dëmton por do të analizojmë lojën, sepse ne vërtetë kombinojmë formacioni duke u dhënë shans të luajnë atyre që kanë pasur minuta, por kjo nuk don të thotë se lejohet mos të jemi në nivelin tonë“, deklaroi pas ndeshjes trajneri Qatip Osmani.