Samir Fazli vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Rudesh në elitën e futbollit kroat, njofton “infOSport.mk”.
Sulmuesi shkupjan rezultoi të jetë figura qendrore në ndeshjen që skuadra e tij Rudesh e zhvilloi ndaj Cibalias, pasi pikërisht tre golat e tij bënë që në fund ai bashkë me shokë ti gëzohet fitores me rezultatin 3:2.
Ishte kjo një ndeshje infarkt, ku tre golat e fundit, dy prej të cilëve ishin pjesë e sulmuesit shkupjan, u shënuan në minutat shtesë të takimit.
Fillimisht Marko Dabro në minutën e parë shtesë të takimit shënoi golin e dytë për Cibalian, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij në ato momente, mirëpo kur të gjithë menduan se Rudesh do të humbas këtë ndeshje, ashtu nuk mendoi edhe Samir Fazli, i cili në minutën e tretë shtesë fillimisht barazoi shifrat në 2:2, teksa në minutën e 95-të shënoi edhe golin e tretë dhe të fitores për Rudeshin në këtë përballje.
Ndryshe golin e parë Samir Fazli e realizoi që në minutën e 7-të, teksa golin e barazimit të përkohshëm për Cibalian gjatë pjesës së parë e kishte realizuar Galiç në minutën e 45-të.
Falë “tripletës” së sotme Samir Fazli tashmë numëron 5 gola të shënuar, edhe atë që të gjithë të shënuar në tre përballjet e fundit, duke pasur parasysh se nga një gol ish sulmuesi i Herenvenit kishte shënuar edhe në përballjet ndaj Lokomotivës dhe Zagrebit dhe Inter Zapreshiçit.