Presidenti i SHBA-ve, Donald Tramp, përdor rregullisht Twitterin për të diskutuar çështjet e politikës amerikane në fusha të ndryshme.
Në një nga psotimet e fundit, ai ka shkruar për futbollin, veçanërisht për kandidaturën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur bashkë me Kanadanë dhe Meksikën për të organizuar së bashku Kupën e Botës të vitit 2026.
Kandidatura amerikane konkuron me Marokun, i cili mund të llogarisë mbështetjen e vendeve afrikane (53), të Azisë (46) dhe Amerikës së Jugut (10), të cilat protestojnë kundër politikave të Tramp mbi emigracionin. Duke pasur parasysh këto gjëra, Presidenti i SHBA-ve reagoi me këto fjalë në Twitter:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur një ofertë të fortë me Kanadanë dhe Meksikën për të zhvilluar Kupën e Botës 2026. Do të jetë një turp, nëse vendet dalin kundër kandidaturës sonë. Po ndodhi kjo, pse duhet t’i mbështesim ne këto vende, kur nuk na mbështesin (duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara)?”
Përveç konfederatave, anëtarët e të cilave mund të votojnë në bllok, vende të tjera, gjithashtu, kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidaturën marokene, si Rusia dhe Franca. Pikërisht, këtë javë, Tramp priti Emanuel Makron në vizitë zyrtare, që Presidenti i Republikës së Francës bëri në Shtetet e Bashkuara.
FIFA do të votojë për ofertën fituese të organizatorëve të Kupës së Botës 2026 më 13 qershor, në kongresin e saj, i cili do të mbahet në Moskë, përpara Kupës së Botës 2018.