Një ditë e një rëndësie të veçantë te Barcelona. Andres Injesta, me një konferencë shtypi të tejmbushur me gazetarë dhe gjithë lojtarët e ekipit katalanas të pranishëm në sallë, ka zyrtarizuar lamtumirën nga Barcelona.
Ai ka dalë para gazetarëve mjaft i emocionuar dhe mes lotësh në sy është shprehur: “Me këtë konferencë dua të bëj publik vendimin tim. Ky është sezoni im i fundit me Barcelonën. Është një vendim i marrë në nivel personal dhe familjar. Kam qenë këtu 22 vjet dhe e di çfarë do të thotë të jesh lojtar i skuadrës më të mirë në botë. E di këtë dhe dua të jem i ndershëm.
“Kam thënë gjithmonë se ky klub meriton më të mirën nga mua, siç ka qenë deri tani. Në të ardhmen nuk mund të jap më të mirën, si në nivelin fizik, ashtu edhe mental. Doja të largohem, duke qenë i dobishëm, duke u ndjerë ende titullar. Kam një jetë këtu dhe është e vështirë të lë shtëpinë time. Por nuk do t’ia lejoja vetes të kaloja një situatë jo të mirë në klubin e jetës sime. Nuk e meritoj unë dhe nuk e meriton klubi”.
“Falënderoj shokët e ekipit dhe të gjithë ata që kanë punuar te Barcelona këto vite. Falënderoj tifozët që më kanë dhënë gjithë mbështetjen e tyre, ishte diçka e pabesueshme. Falënderoj prindërit, motrën dhe gjithë familjen që është këtu me mua. Kemi ardhur të gjithë me një makinë, kurse tani, 22 vjet më pas, jam këtu me bashkëshorten dhe tre thesaret e mi. Afeksionin e tifozëve do ta marr me vete, gjithmonë në zemër”.
“Jam i lumtur që kam kaluar gjithë jetën sportive në nivele të larta në këtë klub. Ndihem krenar dhe në paqe me veten. E vetmi objektiv për mua ishte të fitoj me këtë fanellë. I kam arritur objektivat, kam dhënë gjithçka, në çdo drejtim”.
Momenti më i mirë?
“E vështirë të veçoj ndonjë, sepse janë shumë. Nëse duhet të zgjedh një, do ta thosha debutimi im në Bryzh”.
“Kam folur me të gjithë dhe nuk dua të më thonë të qëndroj. E kuptoj që mund të ndodhë, por muajt e fundit kam përcjellë mesazhin fisnik se dua të largohem me maksimumin e mundësive të mia. Këtë vit ka shkuar gjithçka mirë.
Klubi më ka dhënë besimin maksimal, e dinë që kam qenë gjithmonë i ndershëm me veten dhe klubin.”
E ardhmja?
“E vetmja gjë e rëndësishme është të mos përballem kurrë me klubin e jetës sime. Në fund të sezonit do të shikojmë, nëse do të jetë Kina apo jo.”
“Topi i artë”? Nuk kam asgjë për të thënë në këtë histori. Nuk kam pasur nevojë ta fitoj “Topin e artë”, nuk do të më kishte bërë më të lumtur. Gjithçka që kam dashur, ka qenë dashuria e njerëzve”. (Vipsport.al)