Strategu spanjoll, Unaj Emery gjatë ditës së sotme përmes një konference për shtyp ka konfirmuar se pas përfundimit të sezonit aktual, nuk do të jetë më trajner i Paris Sen Zhermenit.
“Unë pata një takim vetë i tretë, me Antero dhe Al-Khelaifi. Aty vendosëm se ishte më e mirë për të gjithë të vepronim kështu. Do të largohem që këtu duke pasur një marrëdhënie të mirë me të gjithë, plot respekt të ndërsjellë”, – informoi strategu spanjoll në konferencën për shtyp.
Në fakt, fati i Unaj Emery në “Parkun e Princërve” u vendos pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, kundër Real Madridit, që në ndeshjet e 1/8 së finales.
Shtypi francez ka spekuluar mbi disa kandidatë për stolin parisien, si Tomas Tuçel, Antonio Konte dhe Masimiliano Allegri.
Ndërkohë Unaj Emery, i cili do ta përfundojë kontratën këtë qershor, është vendosur si favorit për stolin e Real Sociedad, ku luan futbollisti shqiptarë, Adnan Januzaj. “Në të tashmen, apo në të ardhmen, Real Sociedad gjithmonë më pëlqen mua”, – pati thënë Emery javë më parë.
Trajneri spanjoll te Paris Sen Zhermeni arriti në Paris në vitin 2016, pas sukseseve me Seviljën, dhe do të largohet pas dy sezoneve, me disa trofe kombëtarë të fituar, që me siguri se kanë pasuruar vitrinat e PSZH-së.