Pas Ligës së Kampionëve, sonte rradhën e ka Liga Europa

Pas dy ditëve të njëpasnjëshme ku patëm mundësinë të shohim ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, sonte në program janë dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Liga Europa.

E gjithë vëmendja do të përqëndrohet në Londër, aty ku Arsenali do të mirëpret Atletiko Madridin, teksa në ndeshjen tjetër, Salzburgu i Valon Berishës si mysafir do të përballet me Olimpikun e Marsejës.

Ndeshja në “Emirates Stadium” mund të quhet finale para finales pasi që ekipi që kualifikohet në finalen e madhe do të jetë favoritë për të triumfuar këtë sezon në Liga Europa, raporton “infOSport.mk”.

Arsenali i Arsen Venger një vend për në gjysmëfinale siguroi pasi në çerekfinale arriti ta eliminojë skuadrën e Milanit, teksa Atletiko Madridi në gjysmëfinale arriti pasi mposhti Sportingun e Lisbonës.

Edhe trajneri i “topçinjëve”, Arsen Venger, por edhe ai i “jorganxhinjëve”, Diego Simeone kanë mungesa në formacionet e tyre. Te Arsenali do të mungojë Mkhitarian, ndërsa në dyshim janë edhe Mesut Ozil dhe Xhek Uilsher, teksa te Atletiko Madridi do të mungojnë Filipe Luis dhe Huanfran.

Salzburgu i Valon Berishës që bëri befasinë më të këndshme në ndeshjet çerekfinale, duke eliminuar Lacion e Thoma Strakoshës, sonte do të kërkojë që ti befasojë edhe francezët e Olimpikut të Marsejës, skuadër kjo që në çerekfinale kishte eliminuar gjermanët e Lajpcigut.

Të dyja ndeshjet sonte startojnë në ora 21:05.

 

Leave a Reply