Trajneri Ramadani pa 4 futbollistë standard ndaj Pobedës

Sot FC Shkupi në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit vendor në teren vendas do të mirëpret skuadrën e Pobedës nga Prilepi, njofton “infOSport.mk”. Do të jetë kjo një festë për tifozët e skuadrës “bardhekaltër”, e cila pas plotë 141 ditëve rikthehet që të luaj në folenë e saj, e cila deri më tani sipas FFM-së nuk kishte plotësuar kushtet për ndeshje kampionale.

Interesimi për këtë ndeshje është shumë i madh, ndërsa në prag të së njëjtës trajneri Zekirja Ramadani has në disa probleme lidhur me formacionin, duke pasur parasysh se nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e 4 futbollistëve standard, përfshirë këtu edhe qendër sulmuesin Bazhe Ilijoski.

Ky i fundit u lëndua në ndeshjen e fundit në Strumicë kundër Akademia Pandev, me ç’rast braktisi lojën që para përfundimit të saj, teksa për shkak lëndimeve gjithashtu do të mungojnë edhe Ermedin Adem dhe Stefan Vujçiç, i cili tashmë një kohë më të gjatë nuk ështe në gjendje për të ndihmuar skuadrën. Megjithatë kjo listë e mungesave nuk mbyllet me kaq, pasi për shkak kartonit të kuq në ndeshjen e javës së 28-të kundër Akademia Pandev, Bllagoja Ljamçevski do të pauzojë edhe në ndeshjen me Pobedën.

Ndeshja FC Shkupi – Pobeda starton në ora 16:00 në stadiumin e Çairit, ku drejtuesit e klubit kanë menduar për tifozët e tyre, duke vendosur që me çdo biletë të blerë të ju dhurojnë atyre edhe një shall të klubit, me mbishkrimin Shkupi.

Leave a Reply