Përballja Tajson Fjuri-Sefer Seferi me 9 qershor në Mançester?

Ish-kampioni botëror në kategorinë super të rëndë Tajson Fjuri do t’i kthehet boksit, ndërsa rivali i tij i parë pas pushimit do të jetë boksieri shqiptar nga Korita e Gostivarit, Sefer Seferi, ndryshe vëllai i Nuri Seferit.

Kjo përballje sipas portalit zviceran “20 minuta”, do të mbahej më 9 qershor në “Mançester Arena”.

Promovuesi Frank Uarren ka konfirmuar se Fjuri ka nënshkruar kontratë për shumë meçe, por deri më tani nuk ka asnjë emër, me të cilin do të përballej.

Ndërkohë në anën tjetër boksieri shqiptarë, Sefer Seferi ka deklaruar se ende nuk mund të besojë se në ring do të ndeshet me idolin e tij.

“Nëse do të ndodhte kjo, atëherë do më realizohej një ëndërr e madhe. Unë kurrë nuk e kam menduar se do të kem mundësinë të boksoj kundër Fjurit” – është shprehur fillimisht Sefer Seferi.

“Fjuri është legjendë e boksit e shekullit XXI. Ai është i gjatë, ka peshë dhe forcë me të cilën largoi nga froni Vladimir Kliçkon. Fjuri është ari”, – ka thënë Seferi për portalin 20 minuta.

Fjuri për herë të fundit kishte boksur me 28 nëntor të vitit 2015-të, kur kishte zbritur nga troni Vladimir Kliçkon, ndërsa që nga atëherë për shkak problemeve me mbipeshën dhe keqpërdorimin e  substancave të ndaluara, ai nuk ka boksuar fare.

Ndryshe gjatë karrierës së tij, Tajson Fjuri ka boksuar në 25 meçe, dhe që në të gjitha ka dalë fitues. Sa i përket Sefer Seferit, ai ka një meç më pak se Fjuri, duke regjistruar 23 fitore dhe vetëm një humbje, edhe atë nga gjermani, Manuel Çarr me 17 shtator të vitit 2016-të.

 

Leave a Reply