Super ndeshje me plotë 7 gola të shënuar dhe fitore 5:2 të Liverpullit ndaj Romës patën mundësinë të shohin të panishmit në “Enfilld Roud”, por edhe gjithë ata futbolldashës që vendosën që këtë ndeshje ta shohin përmes ekraneve televizive, njofton “infOSport.mk”.
Vërtetë të gjithë ata në fund kanë mbetur të kënaqur, pasi aktorët kryesor në fushën e blertë dhanë më të mirën nga vetja. Ishte thjesht një mbrëmje magjike, ku patëm mundësi të shohim një futboll mjaft cilësor, një Mohamed Sallah të pandalshëm, me largimin e të cilit Liverpulli në fund pësoi dy gola, që ju japin shpresë futbollistëve të Romës se mund të përsërisin suksesin e asaj ndeshjes së kthimit të ¼ së finales kur në “Olimpiko” mundën Barcelonën e madhe me rezultatin 3:0.
Mohamed Sallah pa dyshim se ishte njeriu i ndeshjes sonte. Ai gjatë pjesës së parë shkëlqeu me dy super gola, ku ja vlen të shihet ai i pari i shënuar në minutën e 36-të, teksa falë asistit të Firmino, egjiptiani në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë, që hapi rrugën e Liverpullit drejt fitores së madhe.
Në pjesën e dytë Sallah ndryshoi rol, dhe nga një golashënues, u shndërrua në super asistues, duke asistuar në dy golat e rradhës së Liverpullit me autorë Sadio Mane (56’) dhe Roberto Firmino (61’).
Ky i fundit në minutën e 69-të shënoi edhe golin e dytë personal, kësaj rradhe pas një rivënie nga këndi, kur u gjind më së miri në zonën e “romakëve”, duke shënuar me kokë. Pas rezultatit 5:0 trajneri Jurgen Klop në minutën e 75-të vendosi që të largojë futbollistin më të mirë në teren, Mohamed Sallah, i cili u përcoll me duartrokitje të mëdha, ndërsa një gjë të tillë shfrytëzuan në maksimum futbollistët e Romës, të cilët fillimisht me anë të Edin Xhekos në minutën e 81-të shënuan për 5:1, teksa vetëm 4 minuta më pas, Peroti nga pika e bardhë shënoi edhe golin e dytë, që ju jep shpresa “romakëve” për të shpresuar edhe në një rezultat tjetër 3:0, si ajo kundër Barcelonës dhe për ti besuar finales së madhe në Kiev.