Mohamed Sallah pa dyshim se po kalon momentet e tij më të mira të karrierës. Përveç golave të shumtë në Premierligë, egjiptiani po shkëlqen edhe në Ligën e Kampionëve, ligën më prestigjioze europiane, ku nëse Liverpulli do të arrinte të triumfonte në fund në finalen e Kievit, atëherë e themi me plotë gojë se Sallah është ndër kandidatët kryesor për të rrëmbyer çmimin e “Topit të Artë”.
Ai një gjë të tillë dëshmoi edhe sonte në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Romës, ku thjesht vallëzonte dhe nuk mund të ndalej dot nga ana e “romakëve”, të cilët u çliruan vetëm pas largimit të tij nga loja në minutën e 75-të.
Mohamed Sallah përderisa ishte prezent në fushën e blertë arriti që të shënojë dy super gola gjatë pjesës së parë, për të vijuar me dy super asiste në pjesën e dytë, kur për një moment Liverpulli avansonte me rezultatin 5:0.
Në fund ndeshja në “Enfilld Roud” u mbyll me rezultatin 5:2, me dy gola të Romës të shënuar gjatë 10 minutëshit të fundit të takimit, gola që japin një fije shprese për ekipin italian, i cili megjithatë do të duhet të djersitet shumë në ndeshjen e kthimit në “Olimpiko”, ku do ta ketë të vështirë të mposht këtë super Liverpull dhe mbi të gjitha të ndal këtë Mohamed Sallah të magjikshëm, i cili sonte rrumbullaksoi 10 gola të shënuar në Ligën e Kampionëve dhe gjithsej 43 gola në të gjitha kompeticionet e këtij edicioni me fanellën e Liverpullit.