Vëllazërimi ka regjistruar një fitore të madhe në ndeshjen e fundit të javës së 22-të në Ligën e Dytë – Perëndim, duke mundur në transfertën në Strugë ekipin e Labunishtit, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një ndër fitoret më me vlerë të skuadrës së Vëllazërimit, e cila deri në mbyllje të kampionatit nuk do të duhet të gabojë në asnjë ndeshje, në rast se dëshiron që në fund ëndërrën të bëjë realitet dhe të ngjitet në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Ndryshe pjesa e parë u mbyll në të mirë të skuadrës vendase, e cila avansoi në minutën e 21-të me golin e shënuar nga Klime Dalçeski.
Ky gol u tregua si i vetëm gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë gjërat ndryshuan në të mirë të skuadrës kërçovare, e cila pas vetëm 4 minutave lojë në pjesën e dytë me anë të Murat Adilit barazoi shifrat në 1:1.
Ky gol solli një frymë të re tek ekipi i trajneri Xhengis Rexhepi, i cili gjithnjë motivonte futbollistët e tij, të cilët në minutën e 65-të e shpërbylen edhe me golin e dytë, që ishte pjesë e Belul Nebiut.
Deri në mbyllje të takimit vendasit tentuan që të vijnë së paku deri te barazimi, mirëpo loja ekipore dhe mirë e organizuar nga ana e mysafirëve nuk lejoi një gjë të tillë, ashtu që në fund Vëllazërimi iu gëzua fitores së 13-të këtë edicion, me të cilën mban hapin për dy vendet e para në Konferencën e Perënidmit.
Pas 22 xhirove Vëllazërimi i Kërçovës ka tubuar 43 pikë dhe aktualisht ndan pozitën e dytë me Gostivarin me pikë të njëjta, teksa pozita e parë i takon Makedonija Gjorçe Petrovit që ka një pikë më shumë.