Alaudin Mustafa ia arriti qëllimit. Djaloshi nga qyteti i Shkupit që është i “dashuruar” në sportin e basketbollit, ka arritur një sukses të madh me ekipin e tij Trakya të Turqisë, duke “rrëmbyer” trofeun e Ligës së Kolegjeve në Turqi të quajtuar “Uni Ligë”.
Mustafa me Trakyan në finale mposhtën Uniersitetin Sakaraya me rezultat 74:56, ndërsa në gjysmëfinale eliminuan ekipin Duzçe.
Pas këtij suksesi të madh, Mustafa ka publikuar një foto në rrjetet sociale duke ndarë gëzimin me të gjithë tjerët, ndërsa mbishkrimin ka qenë prekës, me shkupjanin që ka sqaruar momentet e vështira, problemet, pikëllimet, dhimbjen dhe kthesën që bëri në këtë sport, për të arritur deri te ky trofe.
“Po po u shpallëm Kampion, por për ju këtë foto që po e shihni është vetëm një foto me caste gëzimi, ndërsa unë tash po dëshirojë të ju tregoj se çka ka ndodhur para se të shkrepet kjo foto. Kam këputur ligamentet, kam dëmtuar miniskusin, kam dëmtuar diskatat e gjurit, jam operuar dhe kam duruar plotë 3 muaj, që në disa momente skam qenë në vete prej dhimbjeve. Ka pasur disa netë që prej mërziave të mëdha kam thënë që nuk kthehem më të luaj basketboll, në ndërkohë më kanë ofenduar, më kanë nënçmuar, më kanë marrë për dobësi dhe kam pasur shumë rënie psiqike. Por, pas gjithë këtyre gjërave nuk e kam humbur asnjëherë besimin që e kam pasur në vete, duke i thënë vetes ‘kush je ti e din shumë mirë, mu dorëzu nuk të ka hije’ dhe kam vazhdu me terapia, duke u munduar që ta rikthejë në gjendjen normale këmbën dhe kam vazhduar të ushtrojë, duke mos u ndalur për asnjë minutë. Edhe përkundër asaj që e gjitha botë ishte kundër meje, unë gjithmonë jam munduar të dukem shumë pozitiv dhe në fund ia arrita qëllimit. Pra, sot ju e shifni në këtë foto se unë jam bërë Kampion në Uni Ligën e Turqisë me ekipin tim Trakya. Ju faleminderojë përzemërsisht të gjithëve që më keni përkrahur, ju dua shumë”, ka shkruar në momentet e gëzimit basketbollisti Mustafa.