Pas plotë 22 vitesh nën udhëheqjen e Arsenalit, Arsen Venger ka zyrtarizuar largimin e tij nga klubi londinez.
Francezi 68-vjeçar, i cili në krye të Arsenalit erdhi në vitin 1996 nga Nagoya Grampus, ka shkruar një deklaratë emocionale për tifozët e klubit dhe njëherit duke i falënderuar ata për dashurinë dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre viteve të kaluara bashkë.
Venger e lëshon këtë “bombë” përpara ndeshjes kampionale që këtë të diele do ta zhvillojë ndaj Uest Hamit në “Emirates”.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe diskutimeve me me klubin, mendoj se është koha e duhur për mua që të largohem në fund të sezonit. I jam mirënjohës klubit, që kam pasur privilegjin t’i shërbej Arsenalit për shumë vite të paharrueshme. E kam menaxhuar klubin me përkushtim dhe integritet të plotë. Dua të falënderoj stafin, lojtarët, drejtorët dhe tifozët, që e bëjnë këtë klub kaq të veçantë. Iu bëj thirrje tifozëve tanë të qëndrojnë prapa ekipit, për të qenë në një nivel të lartë. Të gjithë dashamirët e Arsenalit duhet të kujdesen për vlerat e klubit. Dashuria dhe mbështetja ime për këtë klub do të jetë përgjithmonë” – ka thënë Venger.
Ndërkohë, aksionari i shumicës së Arsenalit, Stan Kroenke, e përshkroi këtë si “ditën më të vështirë, që ka pasur ndonjëherë Arsenali.
“Kjo është një nga ditët më të vështira që kemi pasur ndonjëherë, në të gjitha vitet tona në sport. Një nga arsyet kryesore që morëm me Arsenalin ishte për shkak të asaj që Arsen ka sjellë në klub, brenda dhe jashtë fushës. Jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e tij gjatë një periudhe të tillë, në nivelin më të lartë të lojës, nuk do të përputhen kurrë”.
“Arsen ka bërë diçka të pashembullt dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës atij. Gjithkush që e do Arsenalin dhe kushdo që e do futbollin i detyrohet atij një borxh mirënjohjeje. Tre tituj në Premierligë, duke përfshirë një sezon si i pamposhtur, shtatë fitore në “Fa Cup” dhe 20 vite të njëpasnjëshme në Ligën e Kampioneve, janë një rekord i jashtëzakonshëm. Ai, gjithashtu, ka transformuar identitetin e klubit tonë dhe të futbollit anglez, me vizionin që ka për këtë lojë magjike. Ne kemi ambicie të larta për të ndërtuar mbi qëndrimin e jashtëzakonshëm të Arsène dhe për të nderuar vizionin e tij, duke siguruar që Arsenali të konkurrojë dhe të fitojë çmimet më të mëdha dhe më të rëndësishme në futboll. Tani duhet të përqendrohemi në një përfundim të fortë të sezonit dhe t’u kërkojmë miliona tifozëve tanë në botë që të bashkohen me klubin për të paguar “haraçin” e duhur ndaj një prej më të mëdhenjve të historisë së Arsenalit”.
Venger e ka menaxhuar Arsenalin në 22 vite radhazi, ku ka fituar tre tituj në Premierligë dhe 7-të në kuadër të FA Kupës.
68-vjeçari ka kaluar një kohë të vështirë të vonshme, me tifozët gjithnjë e më shumë të frustruar me Arsenalin, që mbetet pas rivalëve të tjerë të Premierligës. “Topçinjtë” e humbën kualifikimin në Ligën e Kampioneve vitin e kaluar, njëjtë sikurse edhe këtë vit, edhe pse gjasat ekzistojnë që këtë vit të sigurojë një gjë të tillë, përmes Liga Europa, në rast se arrinë të ngre lartë trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm, ku fillimisht e ka për detyrë të eliminojë Atletiko Madridin në gjysmëfinale, që më pas të shpresoj edhe tek trofeu.