Trajneri i Interit, Luçiano Spalletti është i interesuar që ta rikthej në “Xhuzepe Meaca” mesfushorin kroat, Mateo Kovaçiç, i cili aktualisht është pjesë e Realit të Madridit. Lajmin e bënë të ditur “Corriere dello Sport” të premten, sipas së cilës “neroaxurrët” janë duke e shqyrtuar mundësinë e kthimit te reprezentuesit kroat në kampin “zikalëtr”.
Kovaçiç pikërisht nga Interi në vitin 2015 u transferua tek “mbretërit” e Spanjës, mirëpo hapësirat e pakta te Zinedin Zidan kanë bërë që edhe ai të mendoj largimin nga “Santiago Bernabeu”.
Megjithatë përveç Interit, mesfushori kroat është duke u monitoruar edhe nga disa klube tjera evropiane, ashtu që me shumë gjasa Kovaçiç po zhvillon sezonin e tij të fundit me fanellën e bardhë “madrilene”, me të cilën gjatë këtij sezoni ka zhvilluar vetëm 17 ndeshje, në shumicën prej tyre duke u inkuadruar në lojë nga bankina.
Ndryshe me fanellën e Realit, Kovaçiç ka zhvilluar gjithsej 103 ndeshje, duke shënuar edhe 8 gola. Kontrata e tij me “mbretërit” është valide deri verën e vitit 2021, teksa vlera e tij në tregun europian të futbollit kap shifrën e 31 milion eurove.