CSKA-ja e Moskës falë fitores së mbrëmshme 89:84 ndaj Khimkit, ka çuar në 2-0 serinë e çerekfinaleve në “Euroleaguen” e basketbollit dhe tashmë është vetëm 1 fitore larg kalimit në “Final Four”.
Sergio Rodriguez ishte njeriu i ndeshjes për skuadrën moskovite që iu fal basketbollistit të kombëtares spanjolle për të marrë një tjetër sukses të rëndësishëm ndaj Khimkit. 26 pikë, 10 asiste dhe 3 rikuperime poshtë tabelës ishin këto statistikat mbresëlënëse të Rodriguez i cili u mbështet edhe nga loja e mirë e amerikanit Uigins, që këtë ndeshje e mbylli me 19 pikë.
Në anën tjetër te Khimki më i spikatur doli të jetë amerikani Gill me 24 pikë të realizuara.
Në ndeshjen tjetër Reali i Madridit triumfoi brenda në Athinë përballë Panathianaikos me rezultatin 89:82 duke barazuar në 1-1 serinë e çerekfinaleve mes tyre dhe tashmë që kjo përballje do të zhvendoset në Madrid, aty ku do të zhvillohen dy ndeshjet e radhës, Reali ka mundësinë ideale për të mbyllur llogaritë me kundërshtarin dhe për tu kualifikuar në “Final Four”.
Pas një pjese të parë jo shumë të mirë “mbretërit” shpërthyen në periudhën e tretë në të cilën realizuan 11 pikë më shumë për t’i dhënë drejtim kësaj sfide.
Rejes me 18 dhe amerikani Keroll me 17 pikë ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Realin, ndërkohë pikëshënuesi më i mirë i sfidës ishte amerikani i Panathianaikos, Xhejms, i cili regjistroi 20 pikë dhe 6 asiste.