“Do të shkoj me siguri në Rusi. Çfarë Botërori do të ishte ai pa mua?”. Kështu ishte shprehur sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç në një intervistë pak ditë më parë në lidhje me rikthimin e tij te Kombëtarja e Suedisë.
Sulmuesi shtatlartë, i cili kohë më parë u transferua në SHBA, duke nënshkruar me ekipin e Los Anxheles Galaksi, e ka nisur mbarë aventurën e tij në MLS, ndërsa kjo ka bërë që ai të shpresojë se do të veshë sërish fanellën e Kombëtares suedeze, edhe pse që kohë më parë i kishte dhënë lamtumirën të njëjtës.
Mirëpo ka edhe prej atyre që janë kundër një rikthimi të mundshëm të Ibras te Suedia, e ai është portieri i dytë i Suedisë, Johan Johnsson, i cili aktivizohet te skuadra e Guingamp në Francë.
“Nuk e di nëse do të jetë apo jo Ibra në Botëror. Ky vendim i takon trajnerit, por ne u kualifikuam në Botëror pa ndihmën e tij”, – tha Johan Johnsson, i cili në intervistën e tij për revistën franceze “Main Opposee” tha se Ibra mund të mos pritet mirë në dhomat e xhveshjes së ekipit përfaqësues të Suedisë.
“Ai është një egoist. Një njeri individualist, si njeri ashtu edhe si futbollist. Ne në fakt jemi grup. Nuk ka dyshim që nëse do të vinte te Suedia do të luante shumë mirë, por ne do të na duhej të ndryshonim totalisht lojën tonë, sepse do të luanim për të”, – tha portieri suedez, Johan Johnsson.
Suedia një vend për në Botërorin “Rusi 2018” siguroi përmes ndeshjeve të balotazhit, duke eliminuar Kombëtaren e Italisë, ndërsa bënë pjesë në grupin “F” së bashku edhe me Gjermaninë, Meksikën dhe Korenë Jugore.