Fitorja 1:2 në transfertën ndaj Akademia Pandevit, i ka dhënë një frymë tjetër FC Shkupit dhe trajnerit Zekirija Ramadanit që shijon fitoren e parë në pankinën e “bardhekaltërve”. Pas 7 përballjeve pa fitore në kampionat, FC Shkupi arriti të triumfojë pikërisht ndaj ekipit që demoloi në fillim të gjysmësezonit pranveror.
“Secila fitore është e rëndësishme, mirëpo kur është fitorja e parë ajo vlenë më shumë se tre pikë. Kjo fitore është e rëndësishme edhe për dalje nga ai ngërçi psikologjik që kishte ekipi. Ne edhe kundër Vardarit zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, por i humbëm dy pikë në sekondat e fundit. Ajo ndeshje na dha shpresë se fitoren se kemi larg”, shprehet Zekirija Ramadani për “InfOSport.mk”.
Edhe përkrah ndeshjeve të mira, FC Shkupi nuk arrinte të gjejë fitoren, ndërsa Ramadani thotë se: “E vetmja pengesë për të mos fituar ndeshjet ishte ngërçi psikologjik dhe mungesa e fatit”.
Duke parë situatën në tabelën e LPFM-së, Shkupi mbetet në garë për një vend në europë, ndërsa tekniku shkupjanë mendon vetëm për ndeshjet e radhës, duke lënë që renditja të komentohet në fund të sezonit.
“Mundohemi mos t’i ngarkojmë psiqikisht futbollistët me europen, por ne do të futemi në çdo ndeshje për të marrë tre pikë dhe nfund do ta shohim se në cilin vend do ta përfundojmë kampionatin. Secila ndeshje është finale për ne”, përfundon Ramadani.
Shkupi ndeshjen e radhës në kampionat sërish e luan në transfertë ndaj Shkëndijës në Tetovë./InfOSport.mk