Sot në kuadër të javës së 23-të në elitën e futsalit vendor në program ishte derbi shqiptarë midis Futsal Shkupit dhe Juventus Seravës, njofton “infOSport.mk”. Kampionët në fuqi të vendit, Futsal Shkupi ishin më të suksesshëm në këtë përballje, duke shënuar fitore me rezultatin 6:4, dhe duke iu hakmarrë në këtë mënyrë skuadrës “bardhezi” nga Serava për eliminimin në çerekfinale të Kupës.
Erkan Seferi me dy gola të njëpasnjëshëm i dha avantazhin 2:0 Shkupit, teksa kapiteni i Juventus Seravës, Eljesa Neziri shënoi golin e parë për të tijtë në këtë përballje, duke ngushtuar epërsinë e “bardhekaltërve” në 2:1. Ivan Sotirovski sërish u përkujdes për epërsinë e dy golave të Futsal Shkupit, për të ardhur kundërpërgjigja nga ish futbollisti “bardhekaltër”, Berat Ramadani që ngushtoi epërsinë e vendasve në 3:2, teksa Sotirovski para mbylljes së pjesës së parë shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e “bardhezinjëve”, për rezultatin e pjesës së parë, Futsal Shkupi – Juventus Serava 4:2, transmeton “infOSport.mk”.
Të parët që shënuan në pjesën e dytë ishin “bardhezinjtë”, ku sërish në listën e golashënuesve u regjistrua Eljesa Neziri, ndërsa një gol tjetër për Juventus Seravën në këtë ndeshje realizoi edhe Erkan Shabani.
Në anën tjetër dy golat e Futsal Shkupit në pjesën e dytë mbajnë firmën e tetovarit, Ismet Ceka, i cili njëherit vendosi edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Futsal Shkupi 6, Juventus Serava 4.
Falë kësaj fitore Futsal Shkupi sërish i afrohet në vetëm një pikë Velesit të vendit të parë, që këtë javë do të jetë i lirë. Javën që vjen “bardhekaltërit” nga Çairi do të jenë mysafir të Zhelezarecit, teksa Juventus Serava në derbin e javës së 24-të në palestrën “Enver Idrizi” do të mirëpret Velesin.