Bajern Munihu e ka seriozisht për Elseid Hysajn. “Bavarezët” pritet të hedhin një hap konkret lidhur me transferimin e futbollistit shkodran të Napolit, që tregon se interesimi për Elseid Hysajn është real.
Siç raporton faqja e specializuar italiane e merkatos “Tuttomercatoëeb”, disa emisarë të kampionëve të ri të vjetër të Gjermanisë, këtë të dielë do të jenë prezent në “Allianc Stadium”, për të ndjekur për së afërmi Hysajn në kryendeshjen e javës së 33-të në “Serie A” kundër Juventusit.
Hysaj është një ndër pikat fikse të formacionit titullar të Napolit nën drejtimin e trajnerit Maurizio Sarri, dhe gjithmonë duke ju referuar mediave italiane, vlerësimi që i bën klubi i Aurelio De Laurentis, kartonit të 24 vjeçarit nga Shkodra është 50 milionë euro, shifër kjo që konsiderohet disi e lartë nga klubi “bavarez” që shpreson të ketë një ulje për të përfituar shërbimet e Hysajt.
Bajerni është në kërkim të zëvendësuesit të Rafinjas, i cili pritet të lërë Munihun pas disa viteve të kaluara te gjigandët gjerman, të cilët nuk janë të vetmit që interesohen për shërbimet e Hysajt, pasi për të interesim kanë shfaqur edhe tre gjigandët anglez, si Arsenal, Mançester Junajted dhe Çelzi.