I lodhur nga deklaratat e thashethemet e shumta, boksieri britanik Entoni Xhoshua, kampion i botës në peshat e rënda në kategoritë IBF, WBA dhe WBO, ka reaguar sot ndaj dy personave që e “kërcënojnë” dhe kërkojnë me ngulm në ring, duke u shprehur se gjërat nuk zgjidhen me bisedime por me sfida në ring.
“Kur je boksier, nuk mund të anashkalosh disa gjëra. Rivalët e mi flasin shumë”, tha Xhoshua në një intervistë për “Sky Sport”.
Më tej, kampioni i botës shtoi: “Ndonjëherë fjalët përdoren si karikim, por kur i dëgjon shpesh ato, duhet t’i lësh të rrjedhin pas shpine edhe pse të vrasin. Edhe pse po tregohem shumë profesionist, nuk i anashkaloj dot, pasi kam instiktin e luftëtarit. Ndonjëherë duhet të tregohesh i mirë, por ndonjëherë është mirë t’i ballafaqosh me këta tipa dhe kjo është ajo që unë po pres me padurim”.
“Unë shpresoj që Tajson Fjuri të rikuperohet sa më shpejt dhe të jetë gati për të boksuar sa më shpejt. Për sa i përket Uilder, ne jemi duke negociuar për një përballje dhe ta zhvillojmë këtë sfidë. Njerëzit flasin shumë, por është më mirë që ne t’u japim fund fjalëve duke u përballur në një duel”, – u shpreh më tej Xhoshua.
Boksieri britanik në karrierën e tij në boksin profesionist deri më tash ka dueluar në 21 meçe, dhe që në të gjitha ka dalë si fitues, përfshirë këtu edhe luftën e fundit të 31 marsit, kur me pikë mundi Entoni Parker.