Sulmuesi i njohur spanjoll, Fernando Tores në fund të sezonit pritet të largohet nga Atletiko Madridi, ndërsa si destinacion i tij i rradhës shihet MLS liga amerikane e futbollit.
Si opsion për transferimin e tij përmendet edhe Super Liga kineze e futbollit, megjithatë sipas raportimeve të gazetës madrilene “Marca”, Tores pëlqen më shumë nivelin që luhet në MLS, sesa atë në kampionatin kinez.
Mësohet se pesë klube kanë shprehur interesim për ish-reprezentuesin e Spanjës, duke përfshirë, Montreal Impact, Chicago Fire, Seattle Sounders, New York City FC dhe Sporting Kansas City.
34-vjeçari i cili në Europë ka luajtur edhe me Liverpullin dhe Çelzin në Premierligë, si dhe Milanin në Itali, në fundin e këtij edicioni edhe përfundimisht do të largohet nga Atletiko Madridi, për të cilën skuadër këtë edicion në të gjitha garat ka zhvilluar 36 ndeshje, duke realizuar edhe 8 gola.
Ndryshe me fanellën e Atl. Madridit, Fernando Tores gjatë karrierës së tij ka zhvilluar plotë 334 ndeshje, duke realizuar edhe 115 gola.