Juventus Serava ka shkëlqyer sonte në takimin gjysmëfinalë të Kupës së Maqedonisë në futsal, duke mundur Shkëndijën me rezultatin 10:3, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një super ndeshje e rradhës e zhvilluar nga ana e djelmoshave “bardhezi” nga Serava, të cilët që nga fillimi e nisën vrrulshëm, duke shënuar dy gola të shpejtë me anë të Xhelal Mjakut dhe Jakup Ramadanit. Mysafirët nga Tetova u kundërpërgjigjën menjëherë, mirëpo goli i tyre vetëm sa revoltoi vendasit e Juventus Seravës të cilët falë golave të shënuar nga Reshat Ali, Pajtim Rexhepi dhe Berat Ramadani, pjesën e parë e mbyllën me rezultatin 5:1.
Shkëndija e nisi më mirë pjesën e dytë, duke ngushtuar epërsinë e “bardhezinjëve” në 5:2, mirëpo në skenë te ekipi vendas doli Eljesa Neziri, i cili shpërtheu me tre gola të njëpasnjëshëm për rezultat 8:2.
Mysafirët nga Tetova arritën që të shënojnë edhe golin e tretë, mirëpo deri në mbyllje të takimit, Jakup Ramadani shënoi edhe dy gola të tjerë për rezultat përfundimtarë, Juventus Serava – Shkëndija 10:3, transmeton “infOSport.mk”.
Fitorja e “bardhezinjëve” mund të ishte edhe më e thellë, mirëpo sonte i pafat ishte Erkan Shabani, i cili në tre raste qëlloi shtyllën. Në finalen e madhe Juventus Serava do të përballet me ekipin e Gemixhi nga Velesi, që në gjysmëfinalen e dytë të zhvilluar në Veles mundi ekipin e Crna Rekës me rezultatin 4:3.