“Zeko jep dorëheqje”. Me këtë mbishkrim disa nga tofozët e revoltuar të FC Shkupit kishin pritur trajnerin dhe ekipin e tyre në Çair pas rikthimit nga arena “Filipi i Dytë”, ku skuadra “bardhekaltër” arriti që të nxjerrë një barazim 1:1 përballë Vardarit, njofton “infOSport.mk”.
FC Shkupi ishte shumë pranë fitores në këtë ndeshje, mirëpo një gol në sekondat e fundit nga ana e mbrojtësit Evgenij Novak, bëri që Vardari ti prish festën skuadrës nga Çairi, si dhe trajnerit Zekirja Ramadani, i cili ende nuk ka shijuar fitoren e parë nën drejtimin e skuadrës “bardhekaltër”.
Ai debutoi në ndeshjen e javës së 24-të kundër Skopjes në Gostivar, në të cilën ndeshje FC Shkupi pësoi disftatë 0:2, ndërsa gjithashtu u mund edhe nga Renova në ndeshjen e javës së 25-të në Tetovë me rezultatin 3:1.
Takimi i sotshëm ndaj Vardarit ishte i treti për Ramadanin në krye të FC Shkupit, skuadër kjo e cila pas 27 xhirove ndodhet në pozitën e 7-të, shumë larg ambicieve të drejtuesve të rinj dhe vetë strategut shkupjan, i cili pasi morri drejtimin e skuadrës nga Çairi pati deklarauar se ata bashkë as që do të diskutojnë vendin e katërt.
Mbetet të shihet nëse FC Shkupi dhe Ramadani do të gjejnë forcën e duhur dhe formulën e duhur në 9 ndeshjet e fundit finale, kur edhe do të precizohen shumë gjëra, përfshirë këtu se cilat skuadra do të luftojnë për atë pozitë të katërt dhe cilat skuadra për mbijetesë.
FC Shkupin në mesjavë e pret edhe një transfertë tjetër, kësaj rradhe ndaj Akademia Pandev në Strumicë, ndërsa vlen të theksohet gjithashtu se “bardhekaltërit” kanë edhe një ndeshje më pak, atë të javës së 26-të kundër Pelisterit që me 7 prill duheshe të zhvillohet në Çair.