Të martën ekipi i futsalit, Juventus Serava do të zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të Kupës kundër Shkëndijës së Tetovës, njofton “infOSport.mk”.
Kështu kishin vendosur goglat gjatë shortit, që dy skuadrat shqiptare të takohen njëra me tjetrën në këtë fazë shumë të rëndësishme, ku fituesi do të luante në finalen e madhe. Trajneri dhe njeriu i palodhshëm i lidhur me ngjyrat “bardhezi” të skuadrës nga Serava, Gafur Hasani në një prononcim për “infOSport.mk”, thotë se respekton kundërshtarin, mirëpo dëshira e tij është që të luaj në finale dhe se tashmë është koha që Juventus Serava të ngrit lartë edhe këtë trofe, të parin në historikun e tyre.
“Do të jetë një ndeshje e rëndë për të dyja skuadrat, megjithatë neve luajmë si vendas dhe besoj se me përkrahjen e publikut në fund do i’a arrijmë qëllimit që të dalim fitues dhe të luajmë në finalen e madhe. Për ne do të ishte kjo finalja e tretë, mirëpo kuptohet gjithnjë nëse arrijmë të eliminojmë Shkëndijën, për të cilën skuadër kemi shumë respekt. Gjithë ata që e duan futsalin ftoj nesër që të vijnë në palestrën ”Enver Idrizi” dhe të shohin një lojë të bukur, ku shpresoj në fund të jemi ne ata që do i gëzohemi fitores” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” Gafur Hasani.
Ndeshja Juventus Serava – Shkëndija zhvillohet nesër në palestrën “Enver Idrizi” me fillim në ora 19:00, ndërsa po nesër do të mësojmë edhe emrin e finalistit të dytë, ku mes vete do të diskutojnë ekipi i Gemixhi nga Velesi dhe Crna Reka nga Kavadari.