Sporti është shëndet, ndërsa e ardhmja e sigurtë e një populli përfundimisht është rinia e shëndoshë. Shqiptarët historikisht të detyruar nga rrethana të ndryshme janë përballur me vështirësitë e jetës, ndërsa mungesa e finansave ka bërë që shumë bashkëqytetarë të marrin rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë. Duke punuar e vepruar në vende të ndryshme europiane, zemra e secilit ka rahur për vendlindjen dhe të ardhmen e rinisë shqiptare. Dhe duke gjetur jashtë atë qe se kemi këtu në aspekt ekonomik, nuk mungojnë rastet kur atdhetarë tanë që veprojnë jashtë vendit nuk hezitojnë kapitalin e tyre ta investojnë në vendlindje për tu ofruar të rinjëve kushte më të mira për zhvillim të arsimit, sportit e kulturës. Rasti më konkret na vjen nga Dobërdolli i Gostivarit, ku sot u lëshua në përdorim stadiumi i futbollit “Global Arena”. Fshati Dobërdoll i Komunës së Gostivarit në të ardhmen mund të krenohet me një stadium simpatik dhe me kushte ideale për zhvillim të aktiviteteve të futbollit. Pas një periudhe të endjes në stadium të fshatrave përreth, Klubi i futbollit Besa nga Dobërdolli tanimë do të mund të luajë në vendin e vet, gjegjësisht në stadiumin e rindërtuar “Global Arena”. Gjithë kjo falë investimit të bashkëqytetarit të tyre, Muamet Tahiri, pronar i kompanisë”Global Mobilien”, dashamir i sportit dhe kulturës që pas investimeve në sfera tjera kësaj rradhe ndërtoi fshatit të tij të lindjes stadiumin e futbollit.
“Ne me djemt dhe me shoqërinë na lindi ideja për ta riparuar stadiumin, për rininë, për fshatin. Dhe, murëm një aksion dhe për 2 muaj e mbaruam. Jam i kënaqur shumë dhe shpresojmë ta gëzojë rinia, fshati dhe të gjithë”, tha investitori i stadiumit, Muamet Tahiri
“Kjo me të vërtet është një hap i madh për fshatin, edhe neve na obligojnë këta njerëz që janë sot prezent që ne të bëjmë rezultate në të ardhmen. Jo të ndalemi vetëm këtu, e kemi bërë vetëm stadiumin dhe tash të ngelemi vetëm aty”, tha Bujar Kadriji, trajner i klubit të mundjes Besa.
Stadiumi me pamje të bukur përveç fushës dhe zhveshtoreve, është pajisur edhe me drita për zhvillim të aktiviteteve gjatë natës, ndërsa gjithashtu për shikuesit ka një tribunë me rreth 600 ulëse. Për të kompletuar dukjen e veçantë të një investimi të qëlluar, të rinjtë e fshatit janë përkujdesur që me grafite të ndryshme të zbukurojnë pjesën e jashtëme të murreve që rrethojnë stadiumin, ku spikat portreti i legjendës së futbollit shqiptar, Lorik Cana, lojtarit të momentit në Euopë, Muhamed Salah, pa lënë anash ikonat e futbollit botëror Messi e Ronaldo. (SHENJA)