Gjatë ditës së sotme në Nion të Zvicrës u hodh shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve Europian. Goglat vendosën që mes tyre të përballen dy skuadrat gjigande, Reali i Madridit dhe Bajerni i Munihut.
Këto dy skuadra deri më tani mes tyre janë takuar në 24 ndeshje zyrtare europiane, me një bilanc prej 11 fitoreve të “madrilenëve”, 2 barazimeve dhe 11 fitoreve të “bavarezëve”.
Ky duel është më i mbipërsërituri në historinë e garave europiane, duke qenë përpara një dueli tjetër, si ai mes Juventusit dhe Real Madridit (21 herë), Barcelonës dhe Milanit (19 herë), Real Madridit dhe Milanit (15 herë), Barcelonës dhe Çelzit (15 herë) dhe Interit kundër Real Madridit (15 herë).
Ndeshja e parë gjysmëfinale e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve midis Bajernit të Munihut de Realit të Madridit do të zhvillohet në Munih, aty ku “madrilenët” deri më tani kanë zhvilluar 12 përballje, (tetë ndeshje në “Olympiastadion” dhe katër në “Allianc Arena”), ku kanë siguruar vetëm dy fitore (1-2, vitin e kaluar, dhe 0-4, në vitin 2014), një barazim (1-1, në vitin 2004) dhe 9-të disfata. Në vizitën e tyre të parë në kryeqytetin bavarez, “madrilenët” nuk kanë arritur të shënojnë gol (2-0, në vitin 1976), mirëpo në 11 ndeshjet e rradhës, ata vazhdimisht kanë shënuar të paktën një gol (4:1, 3:2, 4:1, 2:1, 2:1 , 2:1, 1:1, 2:1, 2:1, 0:4 dhe 1:2).
Në total kanë qenë 11 ndeshje (me dy akte, vajtje-kthim) mes dy skuadrave në fjalë, me bilancin si vijon: Real Madridi fitoi gjashtë herë (1988, 2000, 2002, 2004, 2014 dhe 2017), ndërsa Bajern Munih pesë herë (1976, 1987, 2001, 2007 dhe 2012). Çuditërisht, të gjitha këto përplasje kanë ndodhur në garën madhore kontinentale, Kupën Europiane, apo siç njihet sot Liga e Kampionëve, por asnjëherë në një ndeshje finale.
Përveç kësaj, Real Madridi e ka mundur Bajern Munihun në pesë ndeshjet e fundit. Pasi ka eliminuar paraprakisht ekipin “bavarez”, Reali i Madridit ka fituar katër tituj në Ligën e Kampionëve, edhe atë sezonin e kaluar kur fituan titullin e 12-të (i eliminuan në çerekfinale “bavarezët”), pastaj kur fituan titullin e 10-të (kishin eliminuar Bajernin në gjysmëfinale) si dhe gjatë festimit të titujve 8 dhe 9 në sezonet, 1999-2000 dhe 2000-2001, kur gjithashtu i kishin eliminuar në gjysmëfinale.