Greku Kostas Manolas sonte pa dyshim se është shndërruar në heroin e Romës, pasi pikërisht goli i tij i tretë bëri që Roma të shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve, duke eliminuar skuadrën favorite të Barcelonës, njofton “infOSport.mk”. Mbrojtësi “romak” është shfaqur shumë i emocionuar në fund të ndeshjes, ashtu si edhe pas shënimit të golit, duke fshirë lotët e gëzimit.
“Nuk më intereson që kemi shkruar historinë, më intereson që skuadra është në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve pasi ka mundur ekipin më të mirë në botë. Kemi besuar, u penalizuam në ndeshjen e parë por e kemi parë që Roma është e fortë. Jemi një ekip i fortë dhe e meritojmë gjithçka. Emocionet dhe lotët? Vinim nga tre rezultate të këqija për ne, kishim shumë stres, por sot besuam se ia dilnim. Kemi dhënë gjithçka dhe kemi parë sot se duke pasur publikun në krah, askush nuk mund të na mposhtë. Kemi nevojë për këtë publik, nëse vijnë gjithmonë në stadium, mund të bëhemi një nga skuadrat më të forta të Italisë”, – tha mbrojtësi grek.